Spiropali mirëpret Valentina Superti në Tiranë: Vijojmë përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit

Politikë | 1 vit më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian, Valentina Superti.

Vizita e saj zhvillohet në kuadër të Forumit të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, që mbahet për herë të parë në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Spiropali theksoi rëndësinë e këtij forumi si një hap konkret drejt integrimit evropian dhe rritjes së investimeve në rajon:

“Mirëprita Drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, znj. Valentina Superti, e cila ndodhet në Tiranë për Forumin e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor që mbahet për herë të parë në Shqipëri,” shkroi Spiropali.

Ajo nënvizoi angazhimin e institucioneve shqiptare për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të negociatave me BE-në:

“Vijojmë intensivisht përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit, negociatat për mbylljen e kapitujve të hapur, mbërritjen e standardeve për përfitimin e mbështetjes financiare të BE-së përmes Planit të ri të Rritjes, si mjet i integrimit dhe fuqizimit rajonal,” deklaroi ministrja.

Tirana mirëpret sot Forumin e parë të Investimeve EU–WB6 (Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor), një ngjarje që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota.

Forumi do të bashkojë udhëheqës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet anëtare të Unionit.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të prezantojnë potencialin e tyre ekonomik.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian do të ofrojë mbështetje politike dhe mjete financiare.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme