Spiropali: Shqipëria me mision të ri në zemër të BE-së

Aktualitet | 12 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë një postim në Facebook ku njofton përurimin e godinës së re të Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian në Bruksel.

Së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, Spiropali mori pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së selisë së re diplomatike, të cilën ajo e cilëson “shtëpia e re e misionit tonë në BE”.

“Një fazë e re, më pranë anëtarësimit, por edhe më sfiduese”, shkruan Spiropali. Ministrja thekson se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave e çon Shqipërinë në një etapë të re. Ajo vlerëson rolin e stafit diplomatik dhe misionit të Shqipërisë pranë BE-së, duke e konsideruar një pikë kyçe të përfaqësimit kombëtar në procesin e integrimit.

“Teksa hapja e të gjithë kapitujve të negociatave e fut vendin në një fazë të re, më pranë objektivit për anëtarësim, por edhe më sfiduesja, misioni shqiptar në Bruksel përfaqëson pasionin dhe vokacionin e skuadrës sonë kombëtare, duke qenë fytyra e Shqipërisë në zemër të Europës”, shkruan Spiropali.

Përurimi i godinës së re vjen në një moment historik, kur Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe po hyn në fazën më të thelluar të integrimit në Bashkimin Europian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme