“Sterilizimi”, Beqaj vijon kërkesat paraprake në gjykatë, kërkon përjashtimin e provave dixhitale dhe pushimin e çështjes

Në seancën gjyqësore për çështjen e njohur si “Sterilizimi”, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka vijuar me kërkesat paraprake, duke qëndruar jashtë kafazit pranë avokatëve dhe i shoqëruar në sallë nga forcat e Policisë së Burgjeve.
Beqaj kërkoi përjashtimin e disa provave dixhitale, duke argumentuar se ato bien ndesh me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare, si dhe vendime të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, laboratori dixhital i SPAK nuk ka akreditim dhe nuk plotëson standarde ISO, ndërsa ngriti pyetjen se cili institucion e ka certifikuar atë.
Ai deklaroi gjithashtu se Shqipëria nuk ka një përkufizim të qartë për vjedhjen dhe iu referua, sipas tij, disa kodeve ndërkombëtare dhe historike për ta argumentuar qëndrimin e tij, duke pretenduar se nuk ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
“Kërkoj të përjashtohen disa prova dixhitale, pasi bien në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare, vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë dhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese. Laboratori dixhital i SPAK nuk ka akreditim, nuk ka standarde ISO. Kush është enti që e ka certifikuar? E kemi pyetur për këtë standard dhe nuk morëm përgjigje. Kërkoj që njoftimi i akuzës të shpallet i pavlefshëm. Pasi në këtë njoftim thuhet se nuk ka dhe nuk gjendet kontratë, atëherë çfarë është hetuar? Akuza nuk ka një shifër konkrete të vjedhjes si fakt penal, ndaj kërkoj pushimin e kësaj çështjeje. Në njoftimin e akuzës, padijenia ime përjashtohet, sepse jam i kujdesshëm për detajet dhe matematicien. A mund të akuzohem unë për profesionin tim?”, u shpreh Beqaj, duke shtuar se akuza nuk përmban një shifër konkrete të dëmit apo faktit penal dhe se kërkon pushimin e çështjes.
Në seancë, gjyqtarja Rudina Palloi ngriti pyetjen nëse sjelljet e të pandehurit në seancë paraprake janë pjesë e faktit penal, ndërsa prokuroria u përgjigj se ato nuk përbëjnë pjesë të faktit penal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




