Stina e alergjive, mjekja: Ndotja e ajrit po rrit problemet, të vegjlit janë më të prekurit
Mjekët alergologë thonë se Shqipëria nuk ka studime për të referuar të dhëna zyrtare mbi alergjitë, por ajo që po dominon nga viti në vit është rritja e kësaj sëmundshmërie te të vegjlit.
“Alarmuese është shtimi i rasteve te fëmijët me probleme respiratore, alergjike dhe jo alergjike. Dhe patjetër kjo i atribuohet ndotjes së ajrit, ndryshimit të stilit të jetës, largimit nga kontakti me natyrën, rritjes së këtyre fëmijëve në ambiente të mbyllura dhe lojërat bëhen në ambiente të izoluara”, tha Alkerta Ibranji – alergologe-imunologe, QSH 2.
Ndotja e ajrit është faktori që akuzohet më fort për këtë sëmundshmëri. Problemet e pacientëve, me kalimin e kohës, agravohen dhe 80% e personave alergjikë përfundojnë në astmatikë.
“Te 100 pacientë me rinit alergjik, 80 për qind është parë që kanë progresuar drejt astmës. Pra, kjo bën një korrelim të mirë për të menduar që një rinit alergjik ka gjasa të larta të çojë drejt astmës.”, tha mjekja.
Mjekët bëjnë apel për masa të shtuara në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit.
“Vendosja e politikave dhe masave më të rrepta në kantieret e ndërtimit, ku të gjitha ndotjet që rigjenerohen nga këto kantiere të mos dalin në zona urbane”, tha ajo.
E ndërsa vizitat te mjekët specialistë po vijnë në rritje, këta të fundit specifikojnë dallimet mes një viroze dhe një alergjie. Alergjitë nuk shoqërohen me temperaturë të lartë, por me kruarje të syve dhe rrjedhje të hundëve, duke u përsëritur çdo vit edhe më rëndë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




