Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Kumbaro: Prindërit do të kenë një rol aktiv

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me UNICEF, ka nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar për periudhën 2027-2031.
Strategjia e re synon të vendosë nxënësin në qendër të sistemit arsimor, duke synuar konsolidimin e një sistemi gjithëpërfshirës, cilësor, inovativ dhe të orientuar drejt së ardhmes, ku çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta pavarësisht vendbanimit, statusit social apo kushteve familjare.
Në fjalën e saj gjatë prezantimit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, theksoi rëndësinë e një procesi të gjerë konsultimi: “Strategjia që po nisim sot do të vendosë nxënësin në qendër me qëllimin e qartë për të konsoliduar një sistem arsimor gjithëpërfshirës, cilësor, inovativ dhe të orientuar drejt së ardhmes. Një sistem ku çdo fëmijë, pavarësisht vendbanimit, statusit social apo kushteve familjare, të ketë mundësi të barabarta për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të realizuar potencialin e tij.”
Ministrja Kumbaro nënvizoi se arsimi është përgjegjësi e përbashkët dhe se strategjia nuk mund të hartuar vetëm nga Ministria. Ajo bëri thirrje për pjesëmarrje aktive të të gjithë aktorëve, duke veçuar rolin qendror të prindërve.
“Ne duam të dëgjojmë zërin e nxënësve, mësuesit, drejtuesit e shkollave, ekspertët, universitetet, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët tanë. Por mbi të gjitha, duam të dëgjojmë prindërit. Sepse familja është partneri më i rëndësishëm i shkollës”, tha Kumbaro.

Procesi i konsultimeve pritet të jetë një nga më gjithëpërfshirësit e ndërmarrë deri tani, me takime në të gjithë vendin gjatë muajve në vijim.
Paralelisht me hartimin e strategjisë së re, Ministria po vazhdon investimet konkrete në sistemin arsimor, duke përfshirë:Programin e zhvillimit profesional të mësuesve, ku janë trajnuar tashmë 30 mijë mësues; Transformimin digjital të arsimit; Përmirësimin e infrastrukturës shkollore; Forcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë; Mbështetjen e mirëqenies së nxënësve.

Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar 2027-2031, e mbështetur nga UNICEF, pasqyron vizionin e Shqipërisë për një arsim modern, të barabartë dhe në përputhje me standardet evropiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




