Studentët serbë mbërrijnë në Strasburg me biçikletë për të theksuar protestat antiqeveritare

Rajon | 1 vit më parë

Studentët në Serbi po përshkallëzojnë protestat në vend duke u përpjekur gjithashtu të ndërkombëtarizojnë luftën e tyre.

Një grup prej tetëdhjetë studentësh, pas një udhëtimi 13-ditor me biçikletë, kanë mbërritur në Strasburg, për të informuar institucionet evropiane për situatën në Serbi.

Banorët e qytetit, kryesisht serbë me banim në Francë, hapën një tapet të kuq dhe i pritën studentët çiklistë me brohoritje.

Studentët në Serbi, të cilët kanë më shumë se katër muaj që po demonstrojnë kundër korrupsionit, paqartësisë, meritokracisë dhe në favor të shtetit ligjor, po i kërkojnë Evropës që të mos jetë indiferente dhe të dëgjojë kërkesat e tyre.

Delegacioni studentor serb në Parlamentin Evropian

Delegacioni studentor serb do të vizitojë sot Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, në Serbi, bllokada studentore e ndërtesave të televizionit publik në Beograd dhe Novi Sad po vazhdon për të dytën ditë.

Studentët pretendojnë se televizioni publik serb nuk po i përcjell siç duhet protestat dhe kërkojnë ngritjen e Entit Rregullator të Mediave Elektronike (REM), i cili prej muajsh nuk funksionon për shkak të dorëheqjes së shumë anëtarëve të tij.

Punonjësit e televizionit hyjnë në godinë me ndihmën e policisë, e cila krijon një korridor njerëzor për të kaluar.

Qyteti i Kralevës, në Serbinë qendrore, i cili do të jetë sot epiqendra e protestave të studentëve, është bllokuar nga sot.

Debati vazhdon për të dytën ditë

Në parlamentin serb për të dytën ditë vazhdon debati për zgjedhjen e qeverisë së re. Mandati për formimin e qeverisë iu dha mjekut endokrinolog, doktor Juro Machut, i cili në fjalën e tij të rastit ditën e djeshme vendosi si prioritet përfundimin e protestave të studentëve.

Votimi me gjasë do të bëhet nesër, por konsiderohet e sigurt se formimi i qeverisë i propozuar nga kryeministri i mandatuar do të marrë votëbesimin.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme