Studimi: Mbi 220 milionë fëmijë rrezikojnë obezitetin deri në vitin 2040

Më shumë se 220 milionë fëmijë në mbarë botën mund të vuajnë nga obeziteti deri në vitin 2040, nëse nuk ndërmerren masa urgjente dhe drastike. Paralajmërimi vjen nga një raport i ri i publikuar nga Federata Botërore e Obezitetit, i cili evidenton përmasat alarmante të krizës globale të peshës trupore tek të rinjtë.
Sipas të dhënave, në vitin 2025 rreth 180 milionë fëmijë në moshë 5–19 vjeç ishin obezë. Megjithatë, projeksionet tregojnë se deri në vitin 2040 kjo shifër mund të arrijë në 227 milionë, ndërsa mbi gjysmë miliardi fëmijë pritet të jenë mbipeshë.
Raporti thekson se të paktën 120 milionë fëmijë në moshë shkollore mund të shfaqin shenja të hershme të sëmundjeve kronike si pasojë e indeksit të lartë të masës trupore (BMI). Një person konsiderohet obez kur BMI është 30 ose më i lartë, ndërsa mbipeshë kur është mbi 25.
Drejtoresha ekzekutive e federatës, Johanna Ralston, deklaroi se rritja e vazhdueshme e obezitetit tek fëmijët përbën një dështim global për ta trajtuar seriozisht këtë sëmundje.
“Nuk është e drejtë të dënojmë një brez me obezitet dhe sëmundje kronike, shpesh potencialisht fatale,” u shpreh ajo.
Sipas raportit, rreth 27 milionë fëmijë dhe adoleshentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë BMI të lartë, duke u renditur pas Kinës me 62 milionë dhe Indisë me 41 milionë. Në SHBA, dy në pesë fëmijë rezultojnë obezë ose mbipeshë.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 3.8 milionë fëmijë kanë BMI të lartë, një rekord historik që e rendit vendin ndër më problematikët në Evropë. Shifrat janë pothuajse dy herë më të larta krahasuar me Francën dhe Italinë.
Raporti evidenton pabarazi të theksuara rajonale. Dhjetë vendet ku më shumë se gjysma e fëmijëve në moshë shkollore janë mbipeshë ose obezë ndodhen në rajonin e Paqësorit Perëndimor dhe në Amerikë. Ndërkohë, rritja më e shpejtë e normave të obezitetit po regjistrohet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Federata bën thirrje për krijimin e mjediseve më të shëndetshme për fëmijët, duke përfshirë vendosjen e taksave mbi pijet me sheqer, kufizimin e reklamave të ushqimeve të pashëndetshme dhe politika që inkurajojnë aktivitetin fizik.
Ekspertët paralajmërojnë se pa ndërhyrje të menjëhershme, obeziteti tek fëmijët mund të shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale të dekadave të ardhshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




