Stuhi të dhunshme në Itali, breshri gjigant plagos dhjetëra persona dhe shkatërron kultura bujqësore

Botë | 3 muaj më parë

Një valë e fuqishme moti të keq ka goditur disa zona të Italisë, veçanërisht rajonet Marche dhe Abruzzo, ku reshjet intensive, erërat e forta dhe breshri me kokrriza të mëdha kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Rreth 60 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas breshrit të fuqishëm që goditi mbrëmjen e së martës zonën bregdetare të provincës Ascoli Piceno. Shumica e të lënduarve kanë pësuar plagë dhe dëmtime nga kokrrat e mëdha të akullit, të cilat i kanë zënë në befasi teksa ndodheshin jashtë.

Në urgjencën e spitalit “Madonna del Soccorso” në San Benedetto del Tronto, pacientët janë trajtuar kryesisht me kode të lehta urgjence, për plagë të shkaktuara nga goditjet e breshrit. Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Shëndetësor të Ascoli Piceno, Antonello Maraldo, falënderoi stafin mjekësor për punën e kryer, duke bërë të ditur se në total janë trajtuar 165 persona, përfshirë edhe raste që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me motin e keq.

Ndërkohë, ekipet e Zjarrfikësve italianë vijojnë ndërhyrjet për pastrimin dhe riparimin e dëmeve. Deri tani janë kryer rreth 300 ndërhyrje, kryesisht për pemë dhe degë të rrëzuara, përmbytje lokale dhe dëmtime të shkaktuara nga erërat e forta.

Nga mbrëmja e së martës deri në orët e para të mëngjesit janë regjistruar dhjetëra ndërhyrje në disa provinca: 38 në Ascoli Piceno, 33 në Ankona, 22 në Pesaro Urbino dhe Fermo, si dhe 21 në provincën e Maceratës.

Moti i keq ka goditur rëndë edhe sektorin bujqësor. Shoqatat e fermerëve kanë kërkuar që autoritetet të vlerësojnë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe aktivizimin e masave të jashtëzakonshme për mbështetje.

Sipas fermerëve, dëmet në disa zona janë të mëdha, veçanërisht në vreshta, ku raportohet se shumë parcela kanë humbur mbi 50% të prodhimit. Të prekura janë edhe kulturat e frutave, si pjeshkat dhe mollët, perimet, luledielli, kulturat për fara dhe ullishtat, dëmet e të cilave do të vlerësohen në muajt e ardhshëm.

Stuhia ka shkaktuar gjithashtu dëmtime në magazina bujqësore, ndërtesa dhe panele fotovoltaike, disa prej të cilave janë shkatërruar plotësisht nga fuqia e breshrit.

Autoritetet italiane vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten në terren për të përballuar kërkesat e banorëve të prekur.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme