“Super El Niño” po vjen, paralajmërojnë shkencëtarët amerikanë: Rriten temperaturat në Oqeanin Paqësor, ndikim në bujqësi dhe rezerva

El Niño, fenomeni natyror klimatik në Oqeanin Paqësor që rrit temperaturat globale, ka filluar zyrtarisht, sipas shkencëtarëve amerikanë.
Administrata Kombëtare Amerikane për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) ka njoftuar se kushtet e El Niños tashmë janë të pranishme në Paqësorin tropikal, pasi temperaturat e sipërfaqes së detit janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Shumë parashikime sugjerojnë se ky mund të shndërrohet në një “super El Niño”, madje një nga më të fortët e regjistruar ndonjëherë.
Duke u shtuar mbi ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor gjatë dekadave të fundit, ai mund të sjellë një tjetër vit me temperatura rekord, me shumë gjasa në vitin 2027, si dhe pasoja për motin, furnizimet ushqimore dhe ekonomitë në mbarë botën.
Ky njoftim nuk ishte i papritur, pasi meteorologët e prisnin ardhjen e kësaj faze të ngrohjes që prej përfundimit të fenomenit më të ftohtë, La Niña, në fund të vitit të kaluar.
Temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe tropikal tashmë kanë kaluar pragun prej 0.5°C mbi mesataren, që përdoret nga shkencëtarët amerikanë për të përcaktuar një ngjarje El Niño.
NOAA ka vërejtur gjithashtu ndryshime në erërat mbi Paqësorin ekuatorial, një shenjë se atmosfera po reagon ndaj ngrohjes së oqeanit.Ajo që ka habitur studiuesit është besimi i madh që modelet kompjuterike kanë tashmë për forcën e këtij fenomeni.
Intensiteti i El Niño matet nga sa shumë temperaturat e detit rriten mbi mesataren në një zonë kyçe të Paqësorit: Një El Niño i fortë: më shumë se 1.5°C mbi mesataren. Një El Niño shumë i fortë: më shumë se 2°C mbi mesataren.
Në raportin e saj të qershorit, NOAA vlerësoi me 63% probabilitet që ky të bëhet një El Niño shumë i fortë, i cili do të renditej ndër më të mëdhenjtë në historinë e matjeve që nga viti 1950.
Disa modele amerikane dhe evropiane tregojnë se temperaturat në Paqësorin tropikal mund të ngjiten madje mbi 3°C mbi mesataren deri në fund të vitit.
Shqetësimi më i madh është se kjo po ndodh në një planet që tashmë është shumë më i ngrohtë.
Profesori Adam Scaife nga Shërbimi Meteorologjik Britanik tha: “Duhet të shqetësohemi për ndikimet.
El Niño aktual po ndodh mbi një nivel të konsiderueshëm të ngrohjes globale. Kjo do të thotë se temperaturat në rajonet e prekura mund të arrijnë nivele të paprecedenta.”
Një El Niño shumë i fortë zakonisht rrit temperaturën mesatare globale të ajrit me rreth 0.2°C, duke transferuar nxehtësinë e ruajtur në oqean drejt atmosferës.
Sipas shkencëtarëve, fundi i vitit 2026 dhe veçanërisht viti 2027 mund të sjellin temperatura shumë të larta në shkallë globale, duke tejkaluar sërish pragun prej 1.5°C mbi nivelet paraindustriale.
Ndikimet në botë
Asnjë El Niño nuk është identik me një tjetër, por zakonisht ai shkakton përmbytje më të shpeshta në Veriun e Perusë, Jugun e Ekuadorit, pjesë të Afrikës Lindore Azinë Qendrore, Jugun e Shteteve të Bashkuara
El Nino sjell dhe rrezik më të madh për thatësira dhe zjarre në Australi, Indonezi Veriun e Amerikës së Jugut.
Kjo mund të ndikojë negativisht në bujqësi dhe rezervat ushqimore globale. El Niño zakonisht zvogëlon aktivitetin e uraganeve në Oqeanin Atlantik, prandaj parashikohet një sezon më i qetë se zakonisht.
Megjithatë, kjo mund të sjellë më pak reshje në Amerikën Qendrore dhe rrezik më të lartë për thatësira.
Paralajmërime për Afrikën Lindore
Mohamed Adow nga organizata Power Shift Africa tha: “Shpallja e El Niños nuk është thjesht një parashikim moti. Për miliona njerëz është një sirenë paralajmëruese vdekjeprurëse. Ajo nënkupton mungesë reshjesh, dështim të të korrave, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe familje të shtyra drejt varfërisë.”
Ndërsa NOAA dhe Agjencia Meteorologjike e Japonisë konsiderojnë se El Niño tashmë ka filluar, Byroja Australiane e Meteorologjisë përdor kritere më të rrepta dhe thotë se kushtet po afrohen, por ende nuk janë plotësisht të përmbushura.
Ajo pret që El Niño të zhvillohet më tej gjatë këtij viti dhe të mund të bëhet i fortë.
Çfarë është El Niño?
El Niño është një fenomen klimatik që ndodh zakonisht çdo 2 deri në 7 vjet dhe zgjat rreth një vit. Ai karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në Paqësorin tropikal dhe ndikon në modelet e motit në mbarë botën.
Shkencëtarët theksojnë se ende nuk ka prova përfundimtare se ndryshimet klimatike po i bëjnë ngjarjet El Niño më të shpeshta ose më të forta, por një botë më e ngrohtë mund t’i bëjë pasojat e tyre shumë më të rënda.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




