Të dënuar për trafik droge-Arabia Saudite ekzekuton 356 persona brenda vitit 2025

Autoritetet saudite kanë ekzekutuar 356 persona përgjatë vitit 2025. Sipas përllogaritjeve të AFP-së, Arabia Saudite ka vendosur një rekord të ri për numrin e të burgosurve të ekzekutuar në një vit të vetëm.
Analistët ia atribuojnë kryesisht rritjen e ekzekutimeve “luftës kundër drogës” që Rijadi ka nisur në vitet e fundit – ku shumë prej atyre që u arrestuan fillimisht tani po ekzekutohen, pas procedurave ligjore dhe dënimeve.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga qeveria thonë se 243 persona u ekzekutuan për raste të lidhura me drogën vetëm në 2025, sipas numërimit të AFP-së.
Shifrat e 2025-ës shënojnë vitin e dytë radhazi që Arabia Saudite vendos rekord të ri ekzekutimesh, pas ekzekutimit të 338 personave në 2024.
Duaa Dhainy, një hulumtuese në Organizatën Evropiane Saudite për të Drejtat e Njeriut, i tha AFP-së se shifrat janë “provë se premtimet për reforma në të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite nuk kanë vlerë”.
Ajo shton se ekzekutimet shërbejnë si një mesazh “frikësimi për të gjithë”, përfshirë “punëtorët emigrantë, të miturit dhe kundërshtarët politikë”.
Organizata me bazë në Berlin konfirmon se Arabia Saudite ekzekutoi 356 persona në 2025, duke theksuar se është hera e parë që ekzekutohen më shumë të huaj se sauditë në një vit kalendarik.
Arabia Saudite rifilloi ekzekutimet për vepra të lidhura me drogën në fund të 2022-ës, pas pezullimit të dënimit me vdekje për rastet e narkotikëve për rreth tre vjet.
Që nga nisja e luftës kundër drogës, vendi ka rritur pikat e kontrollit policor në autostrada dhe në kufijtë e tij, ku janë konfiskuar lëndë narkotike dhe janë arrestuar dhjetëra trafikantë.
Mbretëria e Gjirit ka hasur në kritika të vazhdueshme për përdorimin e dënimit me vdekje, të cilin grupet e të drejtave e kanë dënuar si të tepruar dhe në kontrast të fortë me përpjekjet e vendit për të paraqitur një imazh modern ndaj botës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




