“Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” – Spiropali: Mbledhja Shqipëri–Itali, pikënisje historike për projekte të reja

Ministrja e Jashtme dhe e Europës, Elisa Spiropali, ka përshëndetur mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Italisë, të zhvilluar më 13 nëntor në Romë, duke e cilësuar si një pikënisje historike për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në një reagim në platformën “X”, Spiropali përdori shprehjen latine “Omnes viae Romam ducunt, Të gjitha rrugët të çojnë në Romë️”, duke nënvizuar simbolikën e takimit dhe rëndësinë e tij për bashkëpunimin dypalësh.
“Mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri–Itali është një pikënisje historike për projekte të reja, për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt një Europe më të bashkuar,” – u shpreh Spiropali.
Ky takim, i zhvilluar në Romë, u cilësua nga të dyja palët si një moment i rëndësishëm për konsolidimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, duke hapur rrugën për projekte të reja në fusha si energjia, mbrojtja, ekonomia dhe menaxhimi i migracionit.
Shqipëria dhe Italia kanë shkëmbyer mes tyre 15 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi, duke thelluar në mënyrë të ndjeshme partneritetin mes dy vendeve në fusha kyçe strategjike, nga siguria dhe mbrojtja civile te energjia dhe kultura. Këto angazhime u konkretizuan në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes dy vendeve, të mbajtur në Romë.
Marrëveshjet, të shkëmbyera nga ministrat respektivë të kabineteve qeveritare, mbulojnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve shqiptare dhe bashkëpunimin ekonomik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






