Të martën vendimi për shkarkimin e Veliajt, Këshilli Bashkiak i çon letër: Nëse s’vjen dot, nisi pretendimet me shkrim
Të martën pritet shkarkimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliajt.
Këshilli Bashkiak do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, pasi grupi i këshilltarëve socialistë kërkoi shkarkimin e Erion Veliajt nga pozicioni i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Kjo për faktin se nga data 10 shkurt 2025, kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur, i cili ndodhet në masën e arrestit. Këshilltarët i referohen në kërkesë nenit 62 të ligjit për pushtetin vendor, i cili sanksionon nisjen e procedurave për shkarkim në rast se kryebashkiaku nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Më herët edhe këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Tiranës kanë kërkuar shkarkimin e Veliajt.
Para seancës së jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak në orën 16:00, të martën do të mblidhet Komisioni i Ligjeve të Bashkisë, i cili do të legjitimojë procesin. Kjo mbledhje ishte e parashikuar të mbahej sot (22 shtator), por ajo është shtyrë për ditën e nesërme në orën 10:00.
Ndërkohë që Këshilli Bashkiak i Tiranës i është përgjigjur zyrtarisht kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt, në lidhje me kërkesën e tij për të marrë pjesë në mbledhjen e 23 shtatorit. Shkresa që mban firmën e Sekretarit të Këshillit Bashkiak i bën me dije Erjon Veliajt se në rast pamundësie për të qenë prezent, qëndrimet e tij mund t’i paraqesë me shkrim.
Ndërkohë, Partia Socialiste ka shpallur kandidaturën e Ogerta Manastirliut për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës, që pritet të mbahen pas shkarkimit të Veliajt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




