“Të rinjtë po lexojnë gjithnjë e më pak”, autorë e botues thirrje për më shumë tekste në gjuhën shqipe

Kulturë | 12 muaj më parë

Sa lexojnë, çfarë, në cilën gjuhë, në cilin format lexojnë të rinjtë ishte kjo tema e diskutimit në panelin e Sofaja e Librit në edicionin e 28 të panairit të librit.

Në një kohë kur teknologjia po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e përditshme, leximi i librave duket se po bëhet gjithnjë e më i rrallë mes të rinjve. Të rinjtë po preferojnë të lexojnë gjithnjë e më tepër në gjuhë të huaj, kryesisht anglisht dhe online.

Lexueshmëria e librit në kohën e internetit dhe digjitalizimit mund të thuhet se është në një lloj krize globale.

Të rinjtë vazhdojnë të lexojnë më pak se moshat e tjera, ndërsa librat e shkrimtarëve të huaj dominojnë përballë atyre shqiptarë.

Profesor Edmond Tupja rendit një sërë faktorësh që shtyjnë të rinjtë drejt leximit në gjuhë të huaj.

“Të them të drejtën lexojnë, mirëpo në kuadrin e frikshëm të globalizimit, rrezikojmë gjuhët me rrezatim të vogël. Duhet të lexoni shqip, sepse është gjuha shqipe. Dhe çfarë është gjuha, mjet komunikimi. Me atë gjuhë ne jemi formatuar siç thuhet. Ndodhemi përballë një rreziku, futjen pa kriter të fjalëve të huaja. Duhet të punohet që në çerdhe”, tha profesori Tupja.

Një numër i madh i të rinjve kanë krijuar varësi të madhe ndaj mediave sociale duke hequr vëmendjen e tyre nga bota e “librave”, pasi për t’u bërë të dukshëm apo për të qenë me “në modë” duhet të qëndrosh në linjë me të rejat e fundit që vijnë nga mediat sociale.

Sipas studiuesve prezantimi i të rinjve dhe fëmijëve me libra dhe filma në gjuhën shqipe do të ndihmonte në përmirësimin e të shkruarit dhe të folurit sa më mirë të gjuhës shqipe dhe përdorimit të fjalëve në shqip.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme