Plagosje me armë zjarri në Mamurras pas një konflikti të çastit, dërgohet në spital 50-vjeçari

Një plagosje me armë zjarri është regjistruar sot në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras, pas një konflikti të çastit. Bëhet me dije se i plagosur ka mbetur personi me inicialet P.M., i cili ka marrë një plumb në dorë. I plagosuri është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas burimeve, i plagosuri sapo ishte kthyer nga Anglia dhe kishte pasur një konflikt të çastit me autorin, i cili tashmë është identifikuar nga policia dhe po kryhen kontrolle për kapjen e tij. Sipas të dhënave, i plagosuri i kishte kërkuar autorit të lëvizte me kujdes dhe të mos xhironte gomat e makinës para portës së shtëpisë së tij.
Por i riu është përgjigjur me të shtëna, duke qëlluar dy herë me pistoletë, ku njëri nga plumbat e ka kapur në krah Pjetër Markun. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit të ngjarjes.
“Rreth orës 16:25, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në dorë, në rrethana ende të paqarta. 50-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



