Tensione në Kuvend për marrëveshjen e mbrojtjes me SHBA-në/ Opozita kundër, mazhoranca miraton futjen me procedurë të përshpejtuar, votimi pasdite

Politikë | 3 muaj më parë

Seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar është shoqëruar me tensione si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit, ku opozita ka kundërshtuar procedurën e shqyrtimit të marrëveshjes në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jashtë ambienteve të Parlamentit vijon protesta e qytetarëve. Në rend dite në seancën e sotme plenare ishte parashikuar shqyrtimi i projektligjit për marrëveshjen e mbrojtjes me SHBA-në, që lidhet me një hua prej 302 milionë dollarësh.

Në nisje të punimeve, Kuvendi rrëzoi kërkesën e deputetit Agron Shehaj për zhvillimin e pyetje-përgjigjeve me kryeministrin Edi Rama për çështjet e Porto Romanos dhe aeroportit të Vlorës.

Më pas, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi projektligjin për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes me SHBA-në. Partia Demokratike kërkoi transparencë për përmbajtjen e saj, duke pretenduar se dokumenti i depozituar në faqen e Kuvendit nuk shoqërohej me relacionin përkatës.

Në përgjigje, Peleshi u kërkoi deputetëve të njihen me marrëveshjen përmes procedurave të përcaktuara, duke theksuar se dokumenti mund të lexohet pas firmosjes së detyrimit për konfidencialitet.

“Shkoni dhe lexojeni marrëveshjen. Nuk do të miratohet pa e studiuar”, deklaroi Peleshi, duke iu përgjigjur kërkesave të opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi mënyrën e ndjekur nga mazhoranca, duke deklaruar se Kuvendi duhet t’u vërë në dispozicion deputetëve të gjithë dokumentacionin shoqërues.

Bardhi tha se opozita nuk është kundër marrëveshjes me SHBA-në, por kundërshton procedurën e përshpejtuar të ndjekur për miratimin e saj. Sipas tij, një shqyrtim i tillë mund të jetë antikushtetues dhe ai paralajmëroi se çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë debatit në sallë, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet dhe bllokuan foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar vijimin e procedurave.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, Kuvendi miratoi me 76 vota pro kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Votimi përfundimtar i projektligjit është parashikuar të zhvillohet pasditen e sotme në orën 15:00.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme