Tensione para Kuvendit, protestuesit qëllojnë me vezë efektivët dhe heqin gardhin metalik. Policia hedh ujë dhe spraj piper për shpërndarjen e tyre

Situata para Kuvendit është tensionuar, ndërsa zhvillohet protesta e qytetarëve në të njëjtën kohë me seancën e fundit plenare të kësaj legjislature. Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit kanë sjellë ndërhyrjen e uniformave blu, të cilat kanë përdorur autobotin me ujë dhe spraj për të shpërndarë turmën para Xhamisë së Namasgjasë.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa kanë tentuar të çajnë gardhin metalik të vendosur përreth godinës së Kuvendit.
Gjatë tubimit një protestues është larguar me ambulancë, pasi ka kërkuar ndihmë mjekësore pas hedhjes së sprajit me piper nga policia.


Gjatë tensioneve, një pjesë e gardhit rrethues është shkëputur nga protestuesit, të cilët janë afruar pranë perimetrit të sigurisë. Si përgjigje, policia ka përdorur autobotin me ujë për t’i larguar dhe për të rikthyer kontrollin e situatës.
Protestuesi herë pas herë bllokojnë qarkullimin e mjeteve në Unazë, ndërsa policia tenton të rikthejë normalitetin duke i larguar.
Gjithashtu protestuesit kanë marrë koshat e mbeturinave dhe i kanë vendosur në mes të rrugës së Unazës duke bllokuar qarkullimin e mjeteve. Kanë ndërhyrë forcat e rendit për largimin e koshave për të hapur sërish qarkullimin për mjeteve.

Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit kanë sjellë shoqërimin e pesë personave në Komisariatin nr. 1.
Si pasojë e përplasjeve, gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe Kuvendit, duke brohoritur: “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e kryeministrit Edi Rama.

Për mbarëvajtjen e seancës plenare, Policia e Shtetit ka vendosur masa të shtuara sigurie, duke rrethuar Kuvendin me një perimetër të zgjeruar, nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Vijon…
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




