Tensionet në Kuvend, Gogu: Opozita dhunë verbale e fizike, s’do jemi asnjëherë të pranishëm para këtyre skenave

Politikë | 1 vit më parë

Pas votimit të programit qeverisës dhe kabinetit të ri qeveritar vetëm me votat e shumicës politike mes tensionesh nga ana e opozitës, Ministri i Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Toni Gogu paralajmëroi se mazhoranca nuk do tolerojë asnjëherë dhunë verbale e fizike në Parlament.

Sipas Gogut, arsyeja e përfundimit për pak minuta e seancës së sotme, e cila pritej të zgjaste deri të premten, lidhet me sjelljen e opozitës për të penguar paraqitjen e programit të qeverisë.

Ai paralajmëroi se mazhoranca nuk do jetë asnjëherë e pranishme në Kuvend nëse opozita do të paraqesë skena dhune parlamentare.

“Shenja dhune verbale dhe fizike. Ne nuk do jemi asnjëherë të gatshëm për të qenë të pranishme në skena dhune parlamentare sepse ky është parlamenti i shqiptarëve që duan të hyjnë në Europë, që duhet ndarë nga radikalizmi politik e çdo shenjë dhune verbale. Debati parlamentar mungoi sepse ne ishim aty.

Është opozita e cila ka ndërprerë paraqitjen e programit. Skenari i mazhorancës ishte që të qëndronim deri në agimin e ditës së nesërme. Kolegët duhet të vijnë me forcën e mendimit dhe jo të muskujve. Kjo është e pafalshme, ne nuk do jemi as të pranishëm”, deklaroi Gogu në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të seancës.

Kuvendi e miratoi me 82 vota pro programin “Shqipëria 2030” dhe përbërjen e re të qeverisë. Opozita e kontestoi ministren e re “Diella” teksa dha mesazhin virtualisht, duke hedhur drejt kryeministrit dhe ministrave shishe uji dhe rregulloren e Kuvendit. Pas bllokimit të foltores së Kuvendit, mazhoranca miratoi pa pyetje e debat, programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme