Tomini dhe Qose ndjekin nga afër shërbimin e mamografisë në IEVP Pojskë

Sociale | 1 vit më parë

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, vizituan Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Pojskë për të ndjekur nga afër procesin e kontrollit me mamografi.

Ekzaminimi u krye për gratë që vuajnë dënimin në këtë institucion, si dhe për punonjëset e administratës, në kuadër të programit të depistimit të hershëm të kancerit të gjirit, të mbështetur nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë vizitës, u theksua rëndësia e kujdesit ndaj shëndetit, jo vetëm në muajin tetor, por gjatë gjithë vitit.

Zëvendësministrja Tomini vlerësoi solidaritetin institucional dhe rolin e depistimit të hershëm, duke e cilësuar kancerin e gjirit si një sëmundje të heshtur, që kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe të kujdesshme.

“Faleminderit edhe ju për interesin, sepse është shumë e rëndësishme kur solidarizohen institucione të këtij profili në drejtim të një sensibilizimi të tillë, sepse kanceri i gjirit është aq i heshtur nga ana fiziologjike, epidemiologjike dhe klinike, sa që ka shumë rëndësi depistimi i hershëm. Kjo merr vlerë edhe përkundrejt profilit tuaj si institucion.”- u shpreh ajo.

Nga ana e tij, drejtori Qose nënvizoi se IEVP Pojskë është një nga institucionet më delikate, ku vuajnë dënimin gra të paraburgosura dhe të dënuara, dhe se ofrimi i këtij shërbimi është një ndihmë e madhe për to.

Ai shtoi se vitin e kaluar nuk ishte konstatuar asnjë rast, por këtë vit situata ka ndryshuar, dhe zbulimi i hershëm sjell qetësi dhe mundësi për trajtim të duhur.

Përfaqësuesja e ekipit mjekësor, Dorina Toçi, sqaroi se imazhet e mamografisë i dërgohen mjekut radiolog të specializuar, i cili jep rekomandimet për ndjekje të mëtejshme.

Një nga gratë e akomoduara në institucion, e cila iu nënshtrua ekzaminimit për herë të tretë, e cilësoi këtë shërbim si një mundësi për të parandaluar një jetë dhe shprehu mirënjohje për organizimin.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme