Trafikonte armë në pjesë dhe i montonte me qëllim shitjen te një grup kriminal në Sarandë, arrestohet 31-vjeçari

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një 31-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga Policia e Sarandës pasi akuzohet për trafik armësh me qëllim shitjen e tyre drejt grupeve kriminale.

Në kuadër të operacionit “Mekanizmi”, policia ka ndaluar në tunelin e Skërficës automjetin me të cilin po udhëtonte 31-vjeçari K.B., ku pas kontrollit ka gjetur të fshehura në dysheme 4 pistoleta të trafikuara në Shqipëri në pjesë dhe të monutara më pas me qëllim shitjen te një grup kriminal në Sarandë.

Blutë e Sarandës vijojnë hetimin me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

 Njoftimi i plotë:

Sarandë/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda speciale, operacioni i koduar “Mekanizmi”.

Transportonte 4 pistoleta, kapet në tunelin e Skërficës, dhe vihet në pranga 31-vjeçari (me precedent në fushën e narkotikëve). Nga hetimi dyshohet se armët janë trafikuar në pjesë dhe janë montuar në Shqipëri, për t’ia shitur një grupi kriminal në Sarandë. Sekuestrohen armët e zjarrit dhe automjeti që drejtonte i arrestuari, në dyshemenë e të cilit, ishin fshehur armët. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i një hetimi me metoda speciale, kryer në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose në grup, përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale dhe për sigurinë e qytetarëve, finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike, Njësia Fier, dhe me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, operacionin e koduar “Mekanizmi”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur në vëzhgim automjetin që drejtonte 31-vjeçari dhe në tunelin e Skërficës kanë kryer ndalimin e tij. Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme, 4 armë zjarri (pistoleta) që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri, në pjesë, dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen një grupi kriminal në Sarandë. Hetimi vijon me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme