Tragjedi familjare në Kavajë, konflikti çon në vrasjen e 74-vjeçarit nga vëllai i tij

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një konflikt i çastit mes dy vëllezërve të moshuar ka përfunduar në një tragjedi të rëndë familjare mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Agonas të Kavajës. Një 74-vjeçar ka humbur jetën rrugës për në spital, pasi u qëllua me thikë nga vëllai i tij dy vjet më i madh, gjatë kohës që po punonin në tokën e tyre bujqësore.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:30, kur dy vëllezërit ndodheshin në arë për të mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë. Sipas të dhënave të para të policisë, dyshohet se pas një debati për motive ende të paqarta, shtetasi M. Rr., 76 vjeç, ka nxjerrë një mjet prerës duke goditur vëllain e tij, shtetasin E. Rr., 74 vjeç.

“Shtetasi M. Rr., 76 vjeç, ka goditur me mjet prerës (thikë) vëllain e tij, shtetasin E. Rr., 74 vjeç, i cili u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë,” bëhet me dije nga njoftimi paraprak i uniformave blu.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për krimin në familje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë janë organizuar dhe kanë shkuar në vendngjarje. Falë reagimit të shpejtë, policia bëri të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit të dyshuar, i cili u shoqërua në ambientet e komisariatit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale dhe marrjen në pyetje.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, motiveve që çuan në këtë konflikt fatal, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme