“Trialog” – Klosi: PS e gatshme për garë, opozita po vuan, se nuk ka kandidatë. Analisti Sulo: Veliaj u shit nga klanet e PS me nxitjen e Ramës
Zgjedhjet e pritshme për Bashkinë e Tiranës dhe çështja ‘Veliaj’ kanë qenë në fokus të emisionit “Trialog” në RTSH nën moderimin e Alba Alishanit, ku përveç tre analistëve Preç Zogaj, Arion Sulo dhe Lorenc Vangjeli, i ftuar në studio ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.
Sipas Klosit, PS është në përgatitje të vazhdueshme për zgjedhjet e ardhshme dhe rruga për zgjedhjet e pjesshme në të 6 bashkitë që do të jenë në garë tashmë është e shtruar.
“Jemi të gatshëm për garën e Tiranës që besoj do të jetë e fortë. Presim dhe opozita të ketë kandidatin e saj. Por duket se kjo është e vështirë për ta. Është fatkeqësi për vendin që kemi një opozitë, e cila nuk arrijnë të gjejë kandidatë, pasi kandidatët po i tërhiqen nga gara.”, tha Klosi.
Sipas tij, PS dëshiron që Tirana të qeveriset me forca të plota sepse jo vetëm është edhe fushë-beteja më e rëndësishme politike, por kryeqyteti pikë së pari ka nevojë të qeveriset.
“Procesi i ndalimit të Veliajt pa asnjë shkak ishte problem. Kjo situatë zgjat prej 7 muajsh. Ndalimi Ishte jo i drejtë ndalimi. Meritonte hetim në gjendje të lirë dhe më pas të gjykohej. Heqja në mënyrë brutale e lirisë nuk ishte e duhur. Nga ana tjetër ne nuk mund të prisnim pa fund. PS nuk ndërhyn tek drejtësia, por Tirana ka nevojë për qeverisje. Drejtësia ka punën e saj, ne kemi detyrë të qeverisim. Manastirliu është një figurë shumë e mirë për qeverisjen e Tiranës.”, tha Klosi.

Debati me analistin Arion Sulo
Megjithatë, analisti Arion Sulo debatoi me Klosin mbi vendimin për shkarkimin e Veliajt. Sipas Sulos, reagimi i Partisë Socialiste është i pasinqertë dhe ka “një shitje të Veliajt nga klanet e PS-së me nxitjen e kryeministrit Rama”.
Sulo tha se Veliaj vetë nuk e pranon shkarkimin dhe ka paralajmëruar se do ta ankimojë atë në gjykatë. Analisti shtoi se ky veprim duket si një “nxitje politike” kundër tij, duke e cilësuar si një vepër të klaneve brenda PS-së me miratimin e kryeministrit.
“Vetë Veliaj nuk e pranon shkarkimin. Ai ka paralajmëruar se do ta ankimoj në gjykatë. Ka një nxitje politike nga PS kundër tij. Ka një shitje të Veliajt nga klanet e PS me nxitjen e kryeministrit. Reagimi i PS është i pasinqertë. Mendoj se është vepër e klaneve në PS me lejen e kryeministrit”, tha Sulo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




