“Trialog” në RTSH, Sulo: Kreu i ri i SPAK do të vendoset nga vullneti i partnerëve ndërkombëtarë
Për analistin Arion Sulo, gara për kreun e ri të SPAK do të vendoset nga vullneti i partnerëve ndërkombëtarë. Gjatë emisionit “Trialog” në RTSH, Sulo deklaroi se fituesi “është në dorë të ambasadës amerikane”, duke rikthyer në vëmendje precedentin e tre viteve më parë.
“Dejà vu” me Yuri Kim
Sulo argumentoi se historia po përsëritet, duke kujtuar përplasjen e vitit 2019 mes qeverisë dhe diplomacisë amerikane për zgjedhjen e Altin Dumanit.
“Në procesin para tre viteve pamë përballje: nga një anë ambasada e SHBA, nga ana tjetër Rama. Dumani u mbështet nga 5 anëtarë. Vajti ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe fitoi Dumani,” tha Sulo, duke nënkuptuar se i njëjti skenar ndikimi pritet edhe këtë herë.
Sipas Sulos, kreu aktual i SPAK ka luajtur një rol aktiv në konfigurimin e garës për pasuesin e tij. Analisti theksoi se Dumani është siguruar që kandidatët të jenë njerëz të besuar, për të garantuar vazhdimësinë e punës dhe për të shmangur zhbërjet e arritjeve tw deritanishme.
“Dumani është kujdesur që kandidatët të jenë bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Ajo që spikat është se ai është kujdesur që të mos ketë ndonjë që ndërpret rrugën që nisi ai,” u shpreh Sulo.
Në analizën e tij, dy janë emrat më të lakuar që gëzojnë mbështetjen e kreut aktual dhe që shihen si pretendentë kryesorë: “Në garë favoritë janë Adnan Zholi dhe Klodjan Braho,” përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




