Trump: Filmat e realizuar në vende të huaja do të goditen me tarifa 100%

Botë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të godasë filmat e realizuar në vende të huaja me tarifa 100%, ndërsa rrit mosmarrëveshjet tregtare me kombet në mbarë botën.

Trump tha se po autorizonte Departamentin Amerikan të Tregtisë të fillonte procesin për të vendosur taksën sepse industria e filmit në Amerikë po shkon drejt “një vdekje shumë të shpejtë”.

Sipas tij ka një “përpjekje të bashkërenduar” nga vende të tjera që ofrojnë stimuj për të tërhequr kineastë dhe studio, të cilat ai i përshkroi si një “kërcënim të sigurisë kombëtare”.

Deklarata e tij mund të nënkuptojnë një “goditje nokaut” për industrinë, paralajmëroi një sindikatë, ku kineastët kanë lënë për vite me radhë Hollivudin për destinacione si Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja në kërkim të kostove më të ulëta.

“Ne duam filma të bërë në Amerikë, përsëri!”, shkroi Trump.

Sekretari amerikan i Tregtisë Howard Lutnick iu përgjigj deklaratës së Trump, duke thënë “Ne jemi në të”.

Por detajet e lëvizjes janë të paqarta.

Disa filma të mëdhenj të fundit të prodhuar nga studiot amerikane u xhiruan jashtë Amerikës, duke përfshirë Deadpool & Wolverine, Wicked dhe Gladiator II.

Themeluesi i zinxhirit evropian të kinemasë “Vue”, Timothy Richards, vuri në dyshim se si Trump do ta përkufizonte një film amerikan.

“A do përcaktohet nga vijnë paratë? Skenari, regjisori, talenti, vendi ku u xhirua?”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme