Turi në Azi, Trump paralajmëron takim me Kim Jong-un

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të takohet sërish me liderin suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në fund të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur vetë Trump, i cili, duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, theksoi rëndësinë e ruajtjes së një marrëdhënieje të mirë me udhëheqësin koreano-verior.
Trump iu referua edhe arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut, duke argumentuar se përballë këtij realiteti, dialogu me Phenianin është i rëndësishëm.
“Ka 57 armë shumë të fuqishme bërthamore, gjë që nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte. Por tashmë i ka. Shkoi shumë mirë me të. E njoh shumë mirë dhe do të jetë në rregull”, deklaroi Trump, pa dhënë detaje të tjera rreth një takimi të mundshëm.
Sipas The Ëall Street Journal, Trump synon të zhvillojë një takim me Kim Jong-un gjatë udhëtimit të tij në Azi, ku pritet të marrë pjesë në një samit të bashkëpunimit Azi-Paqësor që zhvillohet në Kinë në muajin nëntor.
Deklaratat e Trump për një takim të mundshëm me Kim Jong-un erdhën pasi presidenti amerikan urdhëroi shkurtimin me gjashtë ditë të periudhës së zhvillimit të stërvitjes së përbashkët vjetore ushtarake Ulchi Freedom Shield, e organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut.
Stërvitjet e përbashkëta amerikano-jugokore kanë qenë prej vitesh një prej pikave më të ndjeshme për Phenianin, i cili i konsideron ato përgatitje për një sulm ndaj Koresë së Veriut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




