Turneu “UEFA Development”/ Shqipëria U-15 arrin fitoren e tretë radhazi

Kombëtarja shqiptare U-15 e mbylli me sukses turneun zhvillimor “UEFA Development”, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi. Në takimin e fundit, të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” ndaj Kosovës, kuqezinjtë triumfuan 2-0.
Golat u shënuan në pjesën e parë nga Kledi Dida dhe një autogol.
Trajneri Genti Mahmuti e nisi ndeshjen me këtë formacion: Lionel Ademi (GK), Denian Avdylaj (C), Kevin Muharremi, Romeo Hazizaj, Ergi Syziu, Noseld Bahushi, Kledi Dida, Gean Ramadani, Matias Mehmeti, Alessio Kopani dhe Samuel Prendi.
Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë, që e gjeti shpejt rrugën e rrjetës në minutën e 12. Kledi Dida ishte i pandalshëm, kaloi disa lojtarë dhe i vetëm përballë portierit nuk gaboi, duke e dërguar topin në rrjetë.
Në fundin e pjesës së parë kuqezinjtë dyfishuan rezultatin, falë një autogoli.
Në fraksionin e dytë, Shqipëria menaxhoi mirë lojën dhe trajneri Mahmuti aktivizoi gradualisht të gjithë lojtarët e stolit. Në fushë u futën Lleshi, Çela, Kerxhaliu, Shofiti, Elqeni, Perkola, Kajtazi dhe Gjomarkaj.
Në minutat e fundit, Shqipëria pati një mundësi të artë për golin e tretë nga pika e penalltisë, por tentativa e Elqenit përfundoi jashtë.
Kombëtarja U-15 e mbylli turneun me tri fitore në po aq ndeshje: 3-1 ndaj Armenisë, 1-0 ndaj Maqedonisë së Veriut dhe 2-0 kundër Kosovës. Turneu u zhvillua në Shqipëri, nën kujdesin e Federatës së Futbollit, dhe të gjitha ndeshjet u luajtën në “Shtëpinë e Futbollit”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




