Turqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Parlamenti i Turqisë ka votuar ligjin për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeç, duke u bërë një nga vendet më të fundit që ndërmarrin masa të tilla kufizuese.
Sipas ligjit të ri, platformat digjitale do të detyrohen të vendosin sisteme të verifikimit të moshës për përdoruesit, në mënyrë që të parandalojnë aksesin e të miturve.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pritet të nënshkruajë ligjin, i cili është propozuar nga partia e tij në pushtet. Ai do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në fletoren zyrtare.
Ligji parashikon gjithashtu që platformat e mediave sociale të reagojnë brenda një ore në rastet e raportuara si “emergjenca”, kur përmbajtja konsiderohet e dëmshme për përdoruesit.
Ky vendim e vendos Turqinë në një trend ndërkombëtar për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë. Më herët, Australia u bë vendi i parë që ndaloi aksesin për personat nën 16 vjeç, ndërsa vende të tjera si Franca, Greqia dhe Spanja kanë propozuar ose debatuar masa të ngjashme.
Bashkimi Evropian po shqyrton gjithashtu rekomandime të reja për rregullimin e aksesit të të miturve në platformat digjitale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




