U-17/ Shqipëria e nis me barazim ndaj Letonisë raundin e dytë kualifikues të Europianit

Kombëtarja shqiptare U-17 e nisi me një barazim 2-2 ndaj Letonisë aventurën në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, në ndeshjen e zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.
Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Lleshi (GK), Amataj, Gashi (C), Malko, Nushi, Zekaj, Vata, Allasufi, Muslika, Matjani dhe Uldedaj.
Takimi nisi jo mirë për kuqezinjtë, me Letoninë që kaloi në avantazh që në minutën e 2-të me Baltrušaitis. Reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama riktheu ekuilibrat në minutën e 19-të, kur Armend Muslika u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë shtuan presionin dhe arritën të përmbysnin rezultatin në minutën e 81-të, sërish me protagonist Armend Muslikën, autor i golit të dytë personal në këtë sfidë. Kur dukej se Shqipëria po shkonte drejt fitores, Letonia barazoi në minutën e 88-të me Blūms, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Shqipëria merr kështu pikën e parë në Grupin B6 të Ligës B dhe do të vijojë rrugëtimin në këtë raund kualifikues me ndeshjen e radhës ndaj Ukrainës, e cila do të luhet më 9 qershor në “Arena Egnatia”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




