Udhëtimet në rrezik? Rritje çmimesh e anulime të fluturimeve, eksperti: Çfarë të bëni me rezervimet
Pasiguria gjeopolitike në Lindjen e Mesme ka prekur drejtpërdrejt industrinë e aviacionit dhe planet e udhëtarëve. Tensionet kanë tronditur tregjet energjetike, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës, e cila kërcënon të përkthehet në kosto më të larta për biletat e avionit. Ndryshimi i itinerareve për të shmangur zonat e rrezikut dhe rritja e kostove të operimit po detyrojnë kompanitë ajrore të rishikojnë planet e tyre, duke sjellë anulime të mundshme dhe reduktim të fluturimeve.
Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve në Shqipëri, në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun, ka zbërthyer efektet e kësaj krize në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
Sipas z. Vathi, pasojat e luftës u ndjenë në tri nivele kryesore që në momentet e para. Goditja e parë ishte pezullimi i fluturimeve direkte me Lindjen e Mesme, një rajon që ka shërbyer si burim turistësh për Shqipërinë, por edhe si destinacion i preferuar për pushuesit shqiptarë.
Përtej zonës së luftës, konflikti ka krijuar një pasiguri për udhëtimet ndërkontinentale. “Rreziku për përshkallëzim bëri që të ketë një frikë psikologjike për lëvizje ndërkontinentale, që kërkojnë siguri më të madhe”, shpjegon Vathi. Pasoja e tretë lidhet me hezitimin e qytetarëve për të planifikuar të ardhmen e afërt, duke shmangur vendimet për udhëtime brenda 2-3 muajve të ardhshëm.
Statistikat e para tregojnë një goditje të fortë në flukset turistike. Në ditët e para të luftës, rezervimet pësuan një rënie prej 70-80 për qind. Edhe pse aktualisht situata duket disi më e qartë, tregu mbetet larg normales. “Rezervimet rinisën, por përsëri janë 50 për qind më ulët se para fillimit të luftës”, thotë kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve.
Rritja e çmimit të naftës mbetet kërcënimi më i madh indirekt. Megjithatë, Vathi thekson se ky është një fenomen tërësisht i lidhur me kohëzgjatjen e konfliktit. “Duhet të kuptojmë se kriza e naftës apo goditja e çmimit të karburanteve është pasojë që largohet me largimin e shkakut. Nëse lufta përfundon, çmimet zbresin. Që të themi që do të rriten çmimet apo do pakësohen fluturimet, këto do të ndodhnin nëse lufta do të vazhdonte gjatë”.
Për udhëtarët që shqetësohen për rritjen e mundshme të çmimeve të biletave, ekziston një rregull i artë: pagesa e plotë. “Ata që kanë rezervuar dhe kanë parapaguar një shumë të caktuar, ata do ta kenë të siguruar çmimin e dhënë vetëm nëse e paguajnë plotësisht. Nëse paguajnë të tërë shumën e prenotuar nuk do të ketë pasoja në rritjen e çmimeve të fluturimit nga rritja e çmimit të karburantit”. Në rast se kompania ajrore e anulon fluturimin, paratë rimbursohen plotësisht. Por, nëse është klienti ai që tërhiqet nga dëshira, zbatohen kushtet standarde të rezervimit.
Një pikë kritike mbetet mbrojtja ligjore e turistit. Vathi sqaron se situatat e luftës hyn te “forcat madhore”, çka do të thotë se mbrojtja nuk është kurrë totale. “Në industrinë e udhëtimit, mbrojtja përjashton forcat madhore. Por kjo varet nga kompanitë që duan të ruajnë imazhin e tyre dhe të mbrojnë klientët, duke investuar edhe me humbje”.
Kur pyetet për të ardhmen, Besnik Vathi mbetet i matur, duke përdorur një metaforë. “Po përdor shprehjen ‘si leva e Arkimedit’, më thuaj kur mbaron lufta të të them se si do të shkojë situata. Është e vështirë të bëhen prognoza”.
Në kushtet kur fatet e fluturimeve shkruhen nga hartat e konflikteve, udhëtarëve u mbetet të monitorojnë situatën me kujdes dhe të shfrytëzojnë pagesat e plota si mbrojtjen e vetme të sigurt kundër luhatjeve të çmimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




