Udhëtimi i fshehtë i Teme Sejkos, ja çfarë tregon ish-zv.komandanti

Televizion | 1 vit më parë

Artur Meçollari, ish-zv. komandant i Forcave Detare në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon foli lidhur me udhëtimin e fshehtë të Teme Sejkos, komandant i lartë i ushtrisë shqiptare.

Meçollari tregoi për udhëtimin në ujë të ftohtë, për të cilin thotë se kishte një fshehtësi. Sipas tij, Teme Sejko ishte njeri i besuar i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. 

Sipas ish-zv. Komandantit, Enver Hoxha duke parë kërcënim Hrushovin, kërkonte mbështetjen e perëndimit për të mbijetuar.

“Dëshmia mbi këtë ngjarje nis në vitin 2011 ku ish komandanti i madh Semani Diogjen Gjergji shkruan një libër autobiografik për historinë e tij dhe të familjes së tij. Historia është që kur ai ka marrë detyrën, ka lexuar një shkrim që e kishte shkruar një komandant I mëparshëm. Merr Teme Sejkon në ujë të ftohtë, kishte një fshehtësi. E mori pa asnjë anëtar të shtabit. Dalin në det dhe Qendra Operacionale Detare nuk dinte se ku do të shkonin. E çon në bordin e një anije, e ndërkohë në këtë vend shfaqet një anije italiane. E çon komandantin përsëri në ujë të ftohtë. Ngjarja ka ndodhur në fund të vitit 1959 ose fillim të 1960.

Ditën tjetër Sandër Gjergji është thirrur në komandë të flotës në Vlorë. Ata kishin marrë informacion se ku kishte qenë gjuajtësi. Çështja është çfarë ka bërë dhe pse ky fakt. Fakti i prezencës së anijes italiane me bën të kuptoj se nuk kemi të bëjmë me një anije të traktatit të Varshavës. Në gjykimin tim jemi pas vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Teme Sejko ishte njeri i besuar i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Enver Hoxha duke parë kërcënim Hrushovin, kërkonte mbështetjen e perëndimit për të mbijetuar. Hipoteza ime.”, tha Meçollari.

Në 31maj të vitit 1961, në errësirën e një shtëpie të braktisur në Maminas, komandanti i Flotës Luftarake Detare Teme Sejko, u shndërrua në viktimë. Pa vendim gjykate, ai u torturua për vdekje, nga duart e njerëzve që ai dikur i kishte quajtur shokë. Në vitin 2020, u publikuan për herë të parë dokumente me dëshmitë e zyrtarëve të lartë të Sigurimit që organizuan operacionin ndaj Teme Sejkos.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme