UEFA dhe 55 federatat europiane unifikojnë zbatimin e rregullave të lojës për sezonin 2026–2027

Futboll Bota | 3 muaj më parë

Drejtuesit e arbitrimit të 55 federatave kombëtare europiane u mblodhën në një takim të organizuar nga UEFA për të dakordësuar zbatimin e njëtrajtshëm të ndryshimeve më të fundit në Rregullat e Lojës, që do të hyjnë në fuqi në sezonin 2026–2027.

Takimi, ku mori pjesë edhe një përfaqësues i IFAB, u përqendrua në masat që synojnë rritjen e kohës efektive të lojës, reduktimin e vonesave të panevojshme dhe garantimin e një interpretimi më të qëndrueshëm të rregullave në të gjitha kompeticionet europiane.

Drejtori i Arbitrimit në UEFA, Roberto Rosetti, e cilësoi këtë dakordësi si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së qartësisë dhe besimit në vendimet e arbitrave.

Një tjetër çështje kryesore ishte përdorimi i sistemit VAR. UEFA ritheksoi se VAR duhet të ndërhyjë vetëm në rastet e gabimeve të qarta dhe të dukshme, duke mbetur një mjet mbështetës për arbitrin dhe jo një mekanizëm për të riarbitruar ndeshjet.

Gjithashtu, u konfirmua se do të vijojë të zbatohet protokolli i bashkëpunimit mes kapitenëve të skuadrave dhe arbitrave, i prezantuar me sukses gjatë UEFA EURO 2024, me synimin për të forcuar respektin ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.

UEFA njoftoi se në javët e ardhshme do të publikohen udhëzime të tjera për zbatimin e njëtrajtshëm të Rregullave të Lojës dhe përdorimin e VAR-it në të gjithë futbollin europian.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme