Ullishte të reja në Matjan të Lushnjës – Banorët zgjedhin ullinjtë për fitime të qëndrueshme dhe treg të garantuar.

Sociale | 12 muaj më parë

Në Matjan të Lushnjës, të gjitha tokat bujqësore janë mbjellë me ullinj, pas problemeve me shitjen e perimeve, drurëve frutorë dhe drithërave. Banorët pohojnë se kanë bërë zgjedhjen e duhur, pasi vaji i ullirit shitet lehtësisht dhe sjell fitime të mira. Shtimi i ullishtave ka vështirësuar gjetjen e krahut të punës.

“16 dynym janë mbjellë me ullinj dhe kemi më shumë leverdi”, u shpreh Ismail Hasalla, banor i zonës.

“Prodhimi nuk është shumë i mirë sivjet në krahasim me vitet e tjera”, u shpreh Reshat Hasalla, një tjetër banor i zonës.

Për të përballuar kërkesën, një emigrant ka hapur fabrikë vaji në fshatin e tij. Sokoli ndan jetën mes Shqipërisë dhe Italisë, punon 9 muaj atje dhe 3 muaj në Matjan, duke ndihmuar banorët dhe familjen e tij me të ardhura të mira.

“Ja vlen të kesh një fabrikë vaji në këtë zonë sepse ka shumë ullinj, fermerët kanë mbjellë 90% të tokës më ullinj”, u shpreh Sokol Matjani, prodhues vaji.

Në 5 vitet e fundit janë mbjellë qindra hektarë ullishte në këtë zonë kodrinore, ku klima favorizon rritjen e ullirit. Deri tani vaji nuk eksportohet, por shitja e tij sigurohet me çmim 7-8 mijë lekë të vjetra për litër.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme