Ursula von der Leyen mirëpret pezullimin e tarifave të Trump: Hap i rëndësishëm

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin për një periudhë 90-ditore të tarifave reciproke ndaj shumë partnerëve tregtarë, përfshirë BE-në, që hynë në fuqi një ditë më parë.
“Kushtet e qarta dhe të parashikueshme janë thelbësore për funksionimin e tregtisë dhe zinxhirëve të furnizimit. Bashkimi Europian mbetet i angazhuar për negociata konstruktive me SHBA-në”, u shpreh von der Leyen, duke rishprehur ofertën e bllokut për një përjashtim dypalësh nga tarifat për automjetet dhe mallrat e tjera industriale.
20 përqind ishte tarifa që presidenti Donald Trump vendosi ndaj mallrave nga vendet e bllokut europian që hyjnë në SHBA. BE-ja, si dhe dhjetëra vende të tjera, përveç Kinës, përballen tashmë vetëm me një tarifë universale amerikane në masën 10 përqind. Blloku ndërkohë është subjekt i tarifave amerikane që kishin hyrë më parë në fuqi ndaj çelikut dhe aluminit, të cilave Brukseli iu kundërpërgjigj të mërkurën, si dhe ndaj sektorit të automjeteve.
“Lëvizjet tregtare të Trump kanë bërë që udhëheqësit europianë të përqendrohen në vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta tregtare me kombe të tjera, përfshirë Indinë. Europa vijon të jetë e përqendruar në diversifikimin e partneriteteve të saj tregtare, duke u angazhuar me vende që përbëjnë 87 përqind të tregtisë botërore”, theksoi von der Leyen, duke bërë gjithashtu me dije se blloku do të nxiste tregun e tij të brendshëm dhe do të hiqte barrierat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




