Ushqim në shkollat 9-vjeçare, shqyrtohen tri skemat për ofrimin e paketave ushqimore

Sociale | 1 vit më parë

Pritet që nga shtatori i këtij viti, shkollat e arsimit 9-vjeçar të ofrojnë ushqim falas, si dhe një program passhkollor për të lehtësuar ata prindër, ritmi i punës të të cilëve nuk përshtatet me oraret shkollore.

Ushqimet e shpejta, të cilat ofrohen në fastfude apo në byrektoret pranë shkollave kanë qenë zgjidhja e deritanishme për pjesën më të madhe të nxënësve, ndërsa për më të vegjlit është aplikuar praktika e marrjes së bukës me vete.

“Bukën me vete më mirë! Të paktën e di që ia kam dhënë dhe çfarë i kam futur vetë, sepse nuk po e marrim vesh se çfarë po vjen në shkollë,” shprehet një prind.

Ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po diskutojnë për mundësinë e ofrimit të ushqimit në shkolla. Deri tani janë shqyrtuar tri skema sesi do të shpërndahen paketat ushqimore në institucionet edukative.

  • Skema e parë parashikon ndërtimin e mensave në ato shkolla ku infrastruktura e mundëson;
  • Skema e dytë synon vendosjen e makinerive në institucionet arsimore ku ofrohet ushqim për të gjitha kategoritë e fëmijëve, alergjikë ose jo;
  • Skema e tretë parashikon furnizimin e shkollave me ushqim nga jashtë.

Gjatë viteve janë marrë masa dhe janë hartuar rregullore të cilat ndalojnë futjen e ushqimeve të pakontrolluara nga jashtë, por gjithmonë janë gjetur hapësira për konsumimin e tyre brenda shkollës.

Iniciativa e fundit e ofrimit të një vakti ushqimor në shkollë pritet të jetë efektive dhe të ndalojë njëherë e mirë ushqimet e dëmshme për fëmijët.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme