Ushqyerja ekskluzive me gji ende një sfidë, mjekët: Nënat po përqafojnë më shumë qumështin e gjirit

Sociale | 3 muaj më parë

Ushqyerja me gji e të porsalindurve është një proces që nis me këmbë të mbarë në ditët e para pas lindjes por ndryshon gjatë javëve në vijim. Nënat e reja nuk arrijnë ta vazhdojnë atë në mënyre ekskluzive për 6 muajt e parë siç edhe rekomandohet , pasi janë skeptike për ngopjen e plotë të foshnjave. Mjekët e konsultorit thonë për RTSH se kjo mendësi po ndryshon falë edhe punës që po bëhet me to.

Ushqyerja me gji mbetet ende një sfidë për shëndetin publik. Edhe pse shumica e nënave e nisin ushqyerjen me gji pas lindjes , vetëm një pjesë arrijnë ta vazhdojnë atë në mënyrë ekskluzive për 6 muajt e parë siç rekomandohet nga OBSH. Mjekët e një konsultori në Tiranë thonë se fatmirësisht kjo mendësi po ndryshon.

“Çdo ditë e më shumë vijnë nëna të cilat përqafojnë ushqyerjen me gji. Kemi dhe raste kur nënat normal që fusin në ushqyerje edhe qumështin formulë. Këto janë raste kur ndoshta është me të vërtetë i nevojshëm, por ka dhe raste kur nënat bëhen skeptike sepse mendojnë që nuk arrijnë t’i ngopin fëmijët e tyre me qumësht gjiri. Në fakt nuk është e vërtetë sepse në momentin që fëmija merr peshën e duhur, fëmija është mirë, urinon, mbush pampersat, kjo tregon që ky është një fëmijë që ushqehet mirë, merr sasinë e duhur të qumështit të gjirit“, thotë për RTSH mjekja Amarilda Alushaj.

Disa nga arsyet pse nënat e ndërpresin ushqyerjen me gji janë rikthimi në punë, përdorimi I hershëm I formulës , perceptimet e gabuara se gjiri nuk është I mjaftueshëm dhe mbështetja e pamjaftueshme në familje. Mjekët I kujtojnë  nënave se sa i mbrojtur është një fëmijë kur ushqehet me gji.

“Përmban antitrupa, përmban elemente që rrisin sistemin imunitar të fëmijës për ta mbrojtur nga alergjitë, për ta mbrojtur nga sëmundjet kronike në të ardhmen. Është i rëndësishëm sepse të mbron nga infeksionet respiratore, të mbron nga diaret, nga infeksionet gastrointestinale”, thotë mjekja Alushaj.

Sipas UNICHEF kohëzgjatja ekskluzive me gji është rreth 3,4 muaj, më pak se objektivi prej 6 muajsh. Nga ky proces përfiton edhe nëna duke ulur rrezikun për kancer të gjirit dhe vezoreve si dhe ndihmon shumë në rikuperimin pas lindjes.

/rtsh/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme