Varianti “K” i gripit në Europë, Organizata Europiane Shëndetësore: Vaksinim pa vonesa, piku infektimeve do vijë herët

Sociale | 11 muaj më parë

Sezoni gripal në vendet europiane nisi më herët se zakonisht këtë vit. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e lidh këtë me përhapjen e shpejtë të një lloj të ri të virusit të gripit AH3N2 që teknikisht është identifikuar si “nëntipi K”.

Në deklaratën e fundit për shtyp, Organizata Europiane Shëndetësore paralajmëron një rritje të menjëhershme të qarkullimit të gripit në kontinentin europian. Infektimet e deritanishme thyejnë nivelet e vërejtura gjatë sezoneve të mëparshme.

“Po shohim që rastet e konfirmuara me grip  po rriten shumë më herët se zakonisht këtë vit, dhe kjo do të thotë se koha është kritike”, tha Edoardo Colzani, Drejtor i Seksionit të Viruseve Respiratore në ECDC.

Nënvarianti “K” mund ta përshpejtojë kohën e pikut të infektimeve nga gripi në disa vende të Europës deri në fund të këtij viti dhe mund të rrisë presionin në spitale, prandaj ECDC ka bërë një apel urgjent për vaksinim “pa vonesa”.

“Nëse jeni e grupeve në rrisk për vaksinim, ju lutemi mos prisni. Vaksinimi tani është një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur veten dhe ata përreth jush nga sëmundjet serioze këtë dimër ”, tha Colzani.

Ata që duhet të vaksinohen pa vonesë janë persona mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, persona me sëmundje kronike ose ata që kanë probleme të imunitetit, persona që jetojnë në ambiente të mbyllura, siç janë institucionet e kujdesit afatgjatë si dhe punonjësit shëndetësor.

“Institucionet e kujdesit shëndetësor dhe institucionet e kujdesit afatgjatë duhet të forcojnë planet e tyre të përgatitjes dhe masat e infeksionit, parandalimit dhe kontrollit, si dhe të inkurajojnë stafin dhe vizitorët të përdorin maska fytyre gjatë periudhave të rritjes së qarkullimit të virusit respirator”, thuhet në deklaratën e ECDC.

Në Shqipëri zakonisht piku shënohet gjatë dy javëve të fundit të janarit dhe fillimit të muajit shkurt. Mbetet për t’u parë nëse do të kemi një pik të parakohshëm të infektimeve të gripit në vendin tonë.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme