Kosovë- Vazhdon ngërçi politik në Kuvend, Nisma kërkon postin e kryeparlamentarit, LVV nuk pranon

Kosovë | 1 vit më parë

Ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës vazhdon, pasi takimi i fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Nismës Socialdemokrate përfundoi pa një marrëveshje. Kjo situatë vjen në prag të përpjekjes së 50-të për të konstituuar organin legjislativ, e cila është parashikuar të mbahet ditën e hënë.

Burimi i bllokadës mbetet kërkesa e Nismës, e cila këmbëngul që lideri i saj, Fatmir Limaj, të marrë postin e kryeparlamentarit në këmbim të tri votave të nevojshme për formimin e qeverisë. Kjo kërkesë është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje, çka çoi në dështimin e bisedimeve mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe Limajt.

Në këtë situatë, LVV-së i duhet ende një votë për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votash për zhbllokimin e Kuvendit, pasi aktualisht ka 48 ulëse të garantuara, të cilave u shtohen 3 votat e Nismës, 8 të komuniteteve joserbe dhe një e Nenad Rashiqit.

Analistja Fatime Hajdari e cilësoi si të paarsyeshme kërkesën e Nismës në këtë situatë. Ndërkohë, partitë politike ndodhen nën presionin e kohës, pasi Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat që të konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik. Të hënën do të bëhet përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit. RTK

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme