Veliaj reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Ky nuk është vendim për mua, por për demokracinë shqiptare
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
Ai theksoi se vendimi nuk është për një individ, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli.
“Të dashur miq, Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët. Drejtësia kushtetuese foli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.
Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.
Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.
Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.
Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar. Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!”, shkruan Veliaj.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili kishte caktuar datën 9 Nëntor 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë e Tiranës dhe vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Krye bashkiakut Erion Veliaj. Gjykata Kushtetuese tha se procedura e shkarkimit, nuk i garantoi Veliajt proces të rregullt ligjor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




