Vengu takon komunitetin shqiptar në Hungari: Faktor në marrëdhëniet dypalëshe

I ndodhur në një vizitë zyrtare në Hungari, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova që jetojnë e punojnë në këtë vend. Takimi u mbajt në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Budapest, ku ministri u njoh nga afër me sipërmarrës, mjekë, studentë, punëtorë dhe familjarë.
Vengu vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Hungari, duke e cilësuar si një përfaqësues dinjitoz të vlerave kombëtare dhe një faktor të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Një komunitet që na përfaqëson me dinjitet dhe që është pa dyshim një nga faktorët kontribues në sinergjinë mes Shqipërisë dhe Hungarisë,” – u shpreh ministri.
Ai shprehu mirënjohje për ambasadorin e Shqipërisë në Hungari, Ilirian Kuka, për ftesën dhe mundësinë për t’u takuar me përfaqësues të komunitetit shqiptar.
“Mirënjohje për ftesën e ambasadorit Ilirian Kuka dhe mundësinë për t’u njohur e bashkëbiseduar me disa prej tyre në ambientet e Ambasadës sonë në Budapest,” – theksoi Vengu.
Në përfundim, ministri falënderoi të pranishmit për mikpritjen dhe i inkurajoi ata të vijojnë të promovojnë vlerat shqiptare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.
“Faleminderit për mikpritjen dhe ju uroj shumë sukses – vazhdoni të tregoni vlerat shqiptare përmes punës dhe përkushtimit tuaj,” – përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




