Veteranët e UÇK-së thirrje organizatorëve në Tiranë: Ndaloni vetëdeklarimet e rreme, kauza jonë nuk është instrument politik

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka dalë me një thirrje zyrtare drejtuar pjesëmarrësve dhe organizatorëve të tubimit disaditor në Tiranë. Përmes një deklarate të publikuar nga kreu i veteranëve, Hysni Gucati, në rrjetet sociale, organizata ka rikonfirmuar qëndrimin e saj kundër përdorimit të simboleve të luftës për qëllime politike, duke zbuluar njëkohësisht se asnjë person nuk është i autorizuar të flasë në emër të kësaj strukture në protestë.
Përveç dënimit të instrumentalizimit, OVL-UÇK ka saktësuar aspektin formal të përfaqësimit të saj në Shqipëri, duke rrëzuar pretendimet e individëve që deklarohen në emër të ish-luftëtarëve.
“Qëndrimi i organizatës së veteranëve të luftës është i përsëritur. Veteranët e luftës sqarojnë se organizata e tyre e ka një përfaqësi në Tiranë dhe se askush nuk ka lëshuar ndonjë autorizim për ti përfaqësuar në protestën që po mbahet në Tiranë.”, thuhet në deklaratë.
Kreu i veteranëve, Hysni Gucati, ka akuzuar disa nga personat e përfshirë në këto organizime. Sipas tekstit, ai madje akuzon se disa prej individëve pjesëmarrës se kanë tentuar me vite të zbehin dhe devijojnë vlerat e luftës çlirimtare.
Në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Prishtina, organizata ka përsëritur shqetësimin e saj rreth tendencës për të manipuluar kauzën e UÇK-së për interesa të ditës.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së shpreh publikisht shqetësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë. Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare.”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, në deklaratë vihet theksi te pavarësia e kësaj strukture nga agjendat partiake:
“OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake.”
Kërkesa ndaj organizatorëve të tubimit
Në mbyllje të reagimit, veteranët e luftës u kanë kërkuar strukturave përgjegjëse që menaxhojnë protestën në Tiranë të mbajnë përgjegjësi për mesazhet dhe simbolet që lejojnë në shesh.
“OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.”, thuhet në deklaratë.
Sipas organizatës, historia e UÇK-së i përket lirisë dhe sakrificës së popullit dhe për këtë arsye ajo “duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




