Vetmia në epokën digjitale, teknologjia na lidh, por jo gjithmonë na afron

Sociale | 3 muaj më parë

Në një kohë kur komunikimi është më i lehtë se kurrë falë teknologjisë, gjithnjë e më shumë njerëz përjetojnë ndjenjën e vetmisë. Ekspertët paralajmërojnë se vetmia e zgjatur nuk ndikon vetëm në gjendjen emocionale, por mund të ketë pasoja edhe për shëndetin fizik.

“Me të drejtë mund ta quajmë ndoshta edhe një lloj epidemie, sepse marrim shumë “like”, marrim shumë pëlqime nga njerëzit e tjerë, por shumë pak marrim atë kontakt të drejtpërdrejtë, atë përqafim që është shumë i rëndësishëm dhe që sot na mungon. Të jetuarit për një kohë të gjatë në këtë izolim social, ose në këtë epidemi të vetmisë, do të thotë se rreziku për të kaluar në çrregullime psikologjike, si ankthi dhe depresioni, rritet”, u shpreh Elsida Sinaj, Psikologe dhe psikoterapiste.

Ruajtja e ekuilibrit mes jetës virtuale dhe kontakteve reale mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme për të parandaluar izolimin emocional.

“Ne kemi vërtet shumë nevojë të qëndrojmë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Të jetuarit e një jete aktive emocionale na bën të jemi më të shëndetshëm nga ana psikologjike. Asnjëherë mediat sociale nuk mund të na dhurojnë atë që na jep kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit. Jepini sa më shumë rëndësi marrëdhënieve fizike, ballë për ballë, me njëri-tjetrin, sesa marrëdhënieve online”, tha ajo.

Ndërsa teknologjia vazhdon të zërë një vend gjithnjë e më të madh në jetën e përditshme, sfidë mbetet ruajtja e ekuilibrit mes komunikimit virtual dhe lidhjeve reale njerëzore.

Gazetare: B. Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme