Video/ Padia kundër prokurorit Dado, Veliaj i pranishëm në Gjykatën Administrative. Trupi gjykues nuk pranon transmetimin live për mediat
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është paraqitur këtë të premte në Gjykatën Administrative i shoqëruar nga efektivë të Burgjeve, në kuadër të një seance gjyqësore që ai ka ngritur ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado.
Veliaj është parë duke hyrë në gjykatë i shoqëruar nga forcat e policisë dhe duke mbajtur me vete një dosje, ndërsa seanca pritet të vijojë me shqyrtimin e argumenteve të palëve.
Gjatë seancës, mbrojtja e Veliajt ka kërkuar transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit gjyqësor. Pas kësaj kërkese, trupi gjykues është tërhequr në dhomën e këshillimit dhe ka vendosur të mos lejojë transmetim live.
“Regjistrimin dhe transmetimin e pjesshëm të seancës, në çelje dhe në pjesë të seancës kur të japë vendime. Kamerat duhet të regjistrojnë palën paditëse ose gjykatën, jo të tjerë. Gazetarët mund të jenë të pranishëm dhe të mbajnë shënime, por jo regjistrime. Kamerat të fiken dhe mos të regjistrohet”, tha gjykatësi.

Në sallë janë lejuar gazetarët, të cilët mund të ndjekin seancën dhe të mbajnë shënime, por pa të drejtë regjistrimi të vazhdueshëm me kamera.
Seanca ka tërhequr vëmendje të gjerë publike, ku mes të pranishmëve janë vënë re edhe aktorët e njohur Robert Ndrenika, Gaz Paja dhe të tjerë, të cilët kanë ndjekur zhvillimet nga afër.
Padia e ngritur nga Veliaj lidhet me kërkesën për shpalljen e pavlefshëm të emërimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008. Sipas pretendimeve të tij, emërimi është bërë në shkelje të ligjit, pasi Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës në momentin e dekretimit nga Presidenti i atëhershëm Bamir Topi dhe nuk plotësonte kriteret ligjore.
Nga ana tjetër, mbrojtja e prokurorit Ols Dado ka kërkuar rrëzimin e padisë, duke argumentuar se ajo nuk ndikon në vijimin e hetimeve apo ndjekjes penale, pasi në çështje është i përfshirë edhe prokurori tjetër i SPAK-ut, Altin Dumani.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




