Videot e dy grave në Tiranë për kryerjen e veprimeve të dyshimta me të miturit, Policia e Shtetit: Nuk rezultoi e vërtetë, s’ka rrezik për fëmijët

Aktualitet | 6 muaj më parë

Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të dy videove në rrjete sociale, ku shfaqeshin dy gra të mbuluara pranë një automjeti duke komunikuar në mënyrë të dyshimtë me të mitur.

Menjëherë pas publikimit të videove, policia nisi hetimet ku u identifikuan dy shtetase me inicialet M.G. dhe A.G., të cilat u shoqëruan më 21 prill në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime procedurale.

Nga hetimet paraprake, policia thekson se nuk ka prova që ato të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve. Dy gratë janë me shtetësi iraniane dhe të pajisura me leje qëndrimi në Shqipëri për arsye humanitare.

“Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar. Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.

Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në përfundim të verifikimeve, Policia e Shtetit garanton qytetarët se në këtë rast nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e fëmijëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme