Prishjet e ndërtimeve pa leje në Vlorë, Rama: Vijojmë pa pushim!

Aktualitet | 7 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje nga një tjetër aksion i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në qytetin bregdetar të Vlorës, duke theksuar se operacioni është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0”. 

“Vijojmë pa pushim, lirojmë hapësirat publike”, shkroi Rama në rrjetet sociale, duke ndarë pamje nga prishja e godinave të ndërtuara pa leje.

Në kuadër të aksionit për rikthimin e ligjshmërisë në territor, sot u shembën disa ndërtime të paligjshme mbi kanalin e ujërave të larta në qytetin e Vlorës.

Operacioni u realizua nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërsa në terren ishte e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini. 

Sipas saj, ndërhyrja ishte e domosdoshme për rikthimin e kapaciteteve funksionale të kanalit, pasi ndërtimet e paligjshme kishin krijuar pengesa serioze në qarkullimin e ujërave, duke shkaktuar përmbytje të përsëritura në zonat përreth.

Një ditë më parë, kryebashkiakia Mersini kishte publikuar pamje nga prishja e disa ndërtimeve pa leje në zona të tjera të qytetit, duke theksuar se aksioni është i pandalshëm dhe synon lirimin e hapësirave publike për komunitetin. 

Bashkia e Vlorës njoftoi se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në pastrimin e plotë të kanalit nga çdo ndërtim i paligjshëm.

Autoritetet lokale sigurojnë se familjet e prekura nga prishjet do të trajtohen me mbështetje sociale, përmes bonusit të banesës dhe programeve të strehimit.

Sipas të dhënave zyrtare, që prej nisjes së nismës në korrik 2025, qytetarët kanë raportuar mbi 20,362 raste ndërtimesh pa leje në portalin “Hapësira ime publike”. Deri tani janë zgjidhur 15,808 raste, ndërsa 4,554 të tjera janë në proces shqyrtimi. 

Qeveria ka paralajmëruar se masat për kontrollin e territorit do të ashpërsohen, duke synuar mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme