Vijon ngërçi politik në Kosovë, dështon sërish konstituimi i Kuvendit

Kosovë | 1 vit më parë

Deputetët e Kosovës nuk arritën sërish dakordësinë për të konstituuar Kuvendin. Kryesuesi i seancës Avni Dehari kërkoi bashkëpunimin e partive politike për të arritur të kryejnë votim të fshehtë për emrin e kryeparlamentares, por PDK, LDK dhe AAK nuk e kanë pranuar me argumentin se është në kundërshtim me rregulloren.

Seanca e radhës do të mbahet me 11 maj në orën 10.00, por duket se subjektet politike ende nuk kanw arritur në një dakordësi mes tyre për të votuar emrin e propozuar nga LVV, Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare.

Pas dështimit të seancës deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj nuk do të pranojë një ndryshim mënyre të votimit, ndërsa shtoi se mënyra që vendi të dalë nga ngërçi politik është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

“Mundet me na ftuar edhe 48 herë, çdo 48 orë, por ne nuk kemi vota për mënyrën e ndryshimit të votimit. Duket se po shkojmë drejt një procesi zgjedhor, dhe nëse shkojmë fletëvotimi duhet të jetë i qartë: Kosova apo Albulena Haxhiu”, tha ajo.

Edhe PDK-ja refuzoi sërish për të votuar emrin e Haxhiut.

“Tash e 13 herë po dihet se Haxhiu as nuk i ka as nuk do t’i ketë votat për kryetare të Kuvendit. Ne do të jemi këtu edhe pasnesër, por qëndrimin do ta kemi të njëjtë, por që ka nevojë për një rrugëdalje, e rrugëdalja është  e qartë duhet të ndërrohet kandidati”, tha Memli Krasniqi.

Nga ana tjetër kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë e procesverbaleve të seancave ku ka dështuar votimi i komisionit për votim të fshehtë në Kuvend.

“Ne veç kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim. Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në kuvend, si rasti i mos formimit të komisionit për votim të fshehtë dhe gjitha vendimet tjera paraprake bazuar në procesverbalin e  seancave. Sot jemi në konsulta edhe me PDK e LDK që 10 deputetë t’i drejtohem Gjykatës”, tha Haradinaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme