Vlorë/ U hodh nga ballkoni për t’i shpëtuar flakëve, rrëfimi i 21-vjeçarit: Ishte tym, nuk kishim nga të dilnim

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një prej pushuesve që u përball me flakët në hotelin në Lungomare të Vlorës është 21-vjeçari Luan Saliu nga Lipjani, i cili u detyrua të hidhej nga ballkoni i katit të dytë për t’i shpëtuar zjarrit.

I riu ka treguar momentet e panikut, kur së bashku me të fejuarën u zgjua nga gjumi dhe tentoi të dilte nga dhoma. Por korridoret ishin mbushur me tym dhe rruga e daljes ishte bllokuar.

“Jam nga Lipjani. Ishim në gjumë, ora 3, gati 4. Kërcitje, e fejuara u çua e para, më tha çohu nga gjumi se s’di çfarë ka ndodhur. U çuam të dilnim nga dera, ishte tym, hyri tymi brenda”, rrëfeu Saliu.

Përballë rrezikut, çifti doli në ballkon, por edhe aty situata ishte kritike. Sipas 21-vjeçarit, flakët dhe tymi i kishin përfshirë ambientet përreth dhe ata nuk kishin më një rrugë të sigurt për t’u larguar.

“Dolëm nga ballkoni, ishte flakë e tym, kishte një mburojë, hipëm sipër saj dhe kërcyem poshtë”, tregoi ai.

Rënia nga kati i dytë i shkaktoi dëmtime në këmbë, ndërsa ai dhe e fejuara nuk pësuan djegie.

“S’u lënduam nga djegia, kur u hodha rashë në cep hekuri dhe vrava këmbën”, tha Saliu.

I riu tregoi gjithashtu se gjatë momentit të arratisjes nga hoteli ka parë edhe persona të tjerë që u detyruan të hidhen nga godina për t’i shpëtuar flakëve.

“Kam parë një familje me fëmijë të vogël dhe një burrë që janë hedhur”, u shpreh ai.

Luan Saliu është një prej gjashtë personave që mbetën të lënduar nga zjarri.

“Vetëm unë u lëndova, e fejuara nuk pati probleme”, përfundoi 21-vjeçari.

Zjarri në hotelin në Vlorë ra rreth orës 04:05. Sipas Policisë, flakët kanë nisur aksidentalisht nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit në ambientet e restorantit. Ngjarja shkaktoi gjashtë të lënduar, ndërsa disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Vlorë dhe Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme