Vodhi para në një lokal në Shijak, prangoset brenda pak orësh 27-vjeçari, dyshohet për një seri vjedhjesh

Aktualitet | 10 muaj më parë

Policia e Shijakut ka zbardhur vjedhjen e një biznesi në fshatin Shahinaj, duke vënë në pranga autorin e dyshuar vetëm pak orë pas denoncimit.

Në pranga ka rënë shtetasi S. D., 27 vjeç, banues në Shijak, i cili akuzohet se gjatë orëve të natës ka hyrë në një lokal dhe ka marrë një shumë parash, pije alkoolike dhe cigare.

Sipas burimeve zyrtare, Specialistët për Hetimin e Krimeve u vunë në lëvizje menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga pronari i lokalit.

“Falë reagimit të shpejtë profesional dhe informacioneve të mbledhura, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i të riut në flagrancë.”, njofton policia.

Por, veprimtaria e 27-vjeçarit duket se nuk kufizohet vetëm në këtë rast.

Policia bën me dije se ka dyshime të forta që S. D. të jetë autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë në zonë.

Aktualisht, grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së tij kriminale, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme