Vrasja e dyfishtë në Manëz, zbardhet dëshmia e kamerierit: Ishin 5 veta. Danieli më ofendoi, ndërhyri Flori për të më mbrojtur

Aktualitet | 1 vit më parë

Zbardhet dëshmia e kamerierit të përfshirë në konfliktin e ndodhur në karburantin në Manzë të Durrësit ku ndodhi tragjedia me 2 viktima.

Përpara grupi hetimor, kamerieri ka deklaruar se në momentin e ngjarjes kanë qenë prezentë 5 persona. Autori i ngjarjes, Daniel P., ka hyrë i pari në lokal i shoqëruar nga shoku i tij dhe kanë kërkuar kafe, por kamerieri iu ka komunikuar se ekspresi ishte i dikur dhe se ishte e pamundur që t’u servirte kafen.

Kamarieri dëshmon se më pas Danien P., ka nisur me ofendimet dhe ka këmbëngulur që të merrte shërbimin që ka kërkuar.

Ai vijon rrëfimin duke thënë se nuk ka vijuar më diskutimin me autorin, por ka qenë Flori Paluçi i cili ka ndërhyrë për t’i dalë në mbrojtje kamerierit.

Ky i fundit thekson se pas këtij momenti ka nisur konflikti fizik mes autorit dhe Flori Paluçit jashtë ambienteve të lokalit, aty ku dhe ndodhi tragjedia.

“Ishte ora rreth 1:45 në momentin e ngjarjes ishin 5 persona, Daniel Pepa hyri i pari  në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe ju thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai më ktheu se dua kafe patjetër dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën, por ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin. Më pas dëgjova të shtënat mes tyre dhe ndodhi ajo që ndodhi”, deklaroi kamerieri.

Dy persona mbetën të vrarë me armë zjarri pranë një karburanti në Manëz. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 të mëngjesit, pranë një pike karburanti në afërsi të qendrës së Manzës.

Sipas burimeve, njëri prej viktimave, së bashku me një tjetër person, kanë hyrë në lokalin që ndodhet pranë karburantit dhe i kanë kërkuar kamerierit t’u shërbente kafe.

Kamerieri u është përgjigjur se nuk mund ta përgatiste pasi ekspresi ishte fikur. Pikërisht në ato momente ka nisur një debat verbal mes njërit prej viktimave dhe kamerierit, ku është përfshirë edhe banakieri. Situata është përshkallëzuar, pasi në konflikt është futur edhe një person tjetër që ndodhej në lokal.

Nga përplasja me armë zjarri humbën jetën dy të rinj Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Aranit Kurti është qëlluar për vdekje nga Flori Paluçi, ndërsa Flori Paluçi është vrarë nga Daniel P., 21 vjeç, pasi ky i fundit ka ndërhyrë në konflikt për të mbrojtur shokun e tij.

Autori i dyshuar, Daniel P., është aktualisht në kërkim, ndërsa forcat e policisë po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme