Vrasja e ish-deputetes britanike Ann Widdecombe, hetimet kalojnë te njësia kundër terrorizmit

Botë | 4 muaj më parë

Policia britanike kundër terrorizmit ka marrë drejtimin e hetimeve për vrasjen e dyshuar të ish-deputetes konservatore Ann Widdecombe, pasi janë siguruar informacione dhe prova të reja që kanë ndryshuar ecurinë e çështjes.

Lajmi u konfirmua të hënën nga ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila bëri të ditur se do të informojë edhe Dhomën e Komunave mbi zhvillimet e fundit.

“Policia po ndjek disa pista hetimore për të përcaktuar motivin e këtij sulmi”, deklaroi Mahmood.

Fillimisht, autoritetet kishin bërë të ditur se nuk kishte indicie që vrasja e Widdecombe të kishte lidhje me terrorizmin apo motive politike. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë bërë që hetimi t’i kalojë njësisë së specializuar kundër terrorizmit.

Ann Widdecombe, 78 vjeç, u gjet e pajetë në banesën e saj në Haytor, në Devon të Anglisë, të enjten. Sipas policisë, ajo dyshohet se kishte humbur jetën një ditë më parë dhe kishte pësuar plagë të rënda.

Të shtunën, policia arrestoi një 28-vjeçar në South Yorkshire, i dyshuar për vrasjen. Ai ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë.

Widdecombe ishte një figurë e njohur e politikës britanike. Ajo shërbeu për shumë vite si deputete e Partisë Konservatore dhe ministre, ndërsa në vitin 2019 u zgjodh eurodeputete me Partinë Brexit, të udhëhequr nga Nigel Farage. Pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, ajo u bë zëdhënëse për çështjet e emigracionit në partinë Reform UK.

Pas lajmit për vdekjen e saj, Nigel Farage e vlerësoi Widdecombe si një politikane që “ia kushtoi jetën shërbimit publik”, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi ndarjen e saj nga jeta si “një humbje të rëndësishme”, duke bërë thirrje që ky moment të tejkalojë dallimet politike.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme