Vrasje e trefishtë në Danilovgrad, 30-vjeçari rus qëllon veten pas përplasjes me armë me forcat speciale në Herceg Novi

Rajon | 2 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malin e Zi, ku shtetasi rus Mikhail Shabunin (30 vjeç), i dyshuar si autori i një vrasjeje të trefishtë në një poligon qitjeje në Danilovgrad, ka kryer vetëvrasje pas një operacioni të gjerë kërkimi nga forcat e rendit në Herceg Novi.

Krimi i rëndë u regjistrua ditën e djeshme, rreth orës 16:45, në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”. Viktimat ishin tre punonjës të këtij biznesi: Petar Globarević (24 vjeç) dhe Nemanja Kapor (20 vjeç) nga Podgorica, si dhe Momir Radonjić (67 vjeç) nga Danilovgradi.

Sipas të dhënave nga hetimi paraprak, i dyshuari ka qëlluar fillimisht instruktorin Globarević me disa plumba, përfshirë një në kokë, dhe më pas ka kaluar në zonën e dhënies me qira të armëve ku ka vrarë dy punonjësit e tjerë. Mësohet se pronari i poligonit, i cili ndodhej në një dhomë tjetër duke fjetur, ka arritur t’i mbijetojë sulmit.

Pas masakrës, Shabunin vodhi automjetin e njërës prej viktimave, një “Seat Cordoba” të zezë, me të cilën u largua drejt zonës së Rogamit në Podgoricë, për të vazhduar më pas arratisjen e tij me një taksi në drejtim të Herceg Novit.

Për kapjen e tij u angazhua një operacion në shkallë të gjerë që përfshiu Njësinë Speciale të Policisë, Qendrën Rajonale të Sigurisë “Jug”, Sektorin e Policisë Kufitare, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ANB), si dhe një helikopter të Ushtrisë së Malit të Zi. Autori u lokalizua rreth orës 03:35 të mëngjesit të sotëm në pyllin sipër vendbanimit Topla.

Drejtori i Administratës së Policisë, Lazar Šćepanović, konfirmoi fundin e operacionit duke deklaruar:

“Ata e gjetën dhe e izoluan vrasësin në pyllin mbi vendbanimin Topla – një vrasës të trefishtë, i cili hapi zjarr në momentin e arrestimit të tij dhe më pas qëlloi veten në kokë.“

Përfundimi i situatës së krizës u konfirmua edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Danilo Šaranović. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë, pasi u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave, njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë ngjarje tragjike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme