Zelensky: Sulmet e guximshme ndaj bazave ajrore ruse do të hyjnë ‘në librat e historisë’

Europë | 1 vit më parë

Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë reagimin e tij të parë ndaj sulmit të Ukrainës ndaj bazave të shumta ajrore ruse, duke e vlerësuar si një “rezultat absolutisht të shkëlqyer”.

Ai thotë se sulmi i vendit të tij ndaj 40 avionëve bombardues në baza të shumta në të gjithë Rusinë “padyshim do të jetë në librat e historisë”.

“Një vit, gjashtë muaj dhe nëntë ditë nga fillimi i planifikimit deri në ekzekutimin efektiv”, shkroi ai në një postim në faqen e mediave sociale X, duke e etiketuar atë si “operacioni ynë më afatgjatë”, shkruan Sky.

Presidenti ukrainas tha se ata që ishin të përfshirë në përgatitjen e operacionit u tërhoqën nga territori rus në kohë, pavarësisht se ministria e jashtme e Rusisë më parë pretendoi se “disa pjesëmarrës” ishin ndaluar.

 “Sigurisht, jo gjithçka mund të zbulohet në këtë moment, por këto janë veprime ukrainase që padyshim do të jenë në librat e historisë”, shtoi ai.

 “Ukraina po mbron veten, dhe me të drejtë – ne po bëjmë gjithçka që Rusia të ndiejë nevojën për t’i dhënë fund kësaj lufte”.

“Rusia e filloi këtë luftë, Rusia duhet ta përfundojë atë”.

Në një mesazh të veçantë në Telegram, Zelensky tha se 117 dronë u përdorën në operacion, dhe ai konfirmoi se “njerëzit tanë u nxorën nga territori rus… tani janë të sigurt”.

Kujtojmë se reagimi i tij erdhi pas një sulmi në shkallë të gjerë i Ukrainës në baza të shumta ajrore thellë në Rusi.

Ndërkohë në një postim në Telegram, shërbimi i sigurisë së Ukrainës ka thënë se kostoja e vlerësuar “e aviacionit strategjik të armikut” të goditur në sulmin e së dielës është në 7 miliardë dollarë.

“34% e transportuesve strategjikë të raketave në fushat kryesore ajrore të Federatës Ruse u goditën”, shtoi SBU.

Ai tha se po bën gjithçka “për të dëbuar armikun nga toka jonë amtare” dhe u zotua të mundë Rusinë “në det, në ajër dhe në tokë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme